Grupi hetimor i ngritur për të zbardhur vdekjen e gardistit Shkëlzen Qordja, shoferit të Ministit të Brendshëm, ka zbuluar lëvizjet e 31-vjeçarit para se ai të ndërmerrte aktin e rëndë, atë të vetëvrasjes mëngjesin e të shtunës. Shkëlzen Qordja ka shkuar në Gardën e Republikës ditën e premte, një ditë para vetvrasjes, me makinën që përdorte Ministri i Brendshëm.
Më pas ai ka dalë nga Garda në orët e mbasdites të së premtes me automjetin e tij personal dhe në orët e para të mëngjesit të së shtunës, me të njëjtën makinë është rikthyer përsëri në gardë. Në këtë moment Shkëlzen Qordja ka shkuar në makinën që përdorte Fatmir Xhafaj dhe aty është vetvrarë. Gjatë kohës që ka dalë nga Garda e Republikës me makinën e tij personale, Shkëlzen Qordja nuk ka shkuar në banesën e tij në Qytetin Studenti.
Familja e 31-vjeçarit është telefonuar në mëngjes nga Garda dhe babai i Shkëlzen Qordjas ka shkuar në ambientet e këtij institucioni pak minuta para se të gjendej trupi i pajetë i gardistit. Mbeten mister shkaqet e lëvizjeve gjatë natës të Shkëlzen Qordjas me makinë e tij personale dhe më pas të zgjedhë të vetëvritet në garazhin e Gardës së Republikës.