Report TV - Bisedime PD-PS/Opozita tre kushte për votimin e ligjit për gjyqtarët

2018-07-03 0

Teksa fundi i këtij sesioni parlamentar po afrohet me shpejtësi, Partia Socialiste ka nisur lëvizjet dhe bisedimet për të mundësuar miratimin e disa ndryshimeve në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, me qëllim për t?i hapur rrugën Shkollës së Magjistraturës për zëvendësimin në një kohë sa më të shpejtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që po largohen dhe do të largohen për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

Ligji në fuqi parashikon që kuotat e pranimeve të kandidatëve për magjistratë përcaktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por këto organe nuk janë ngritur ende për shkak se nuk ka përfunduar procesi i Vetingut për grupin e partë të prokurorëve dhe gjyqtarëve prioritar. Nga ana tjetër, me avancimin e procesit të Vetingut, po zgjerohet numri i vakancave në gjykata, çka e bën më urgjente ndërhyrjen e Parlamentit. Pas mbylljes së Gjykatës Kushtetuese, pritet boshatisja e gjykatave të apelit.

Që nisma e propozuar të miratohet duhen 84 vota, numër ky që imponon një konsensus politik apo sigurimin e të paktën 7 votave individuale. Në kushtet kur Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur e prerë kundër këtij projektligji, Partia Socialiste mësohet se ka hedhur sytë tek Partia Demokratike, duke parë mundësitë për arritjen e një kompromisi.