Fleckenstein: Nuk ka kushte te reja per Shqiperine

2018-07-02 0

I rikthyer në Tiranë pas vendimit të Këshillit Europian, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, mendon se vendi duhet uruar që tashmë ka nje datë për çeljen e negociatave.

"Ajo që mund t'ju them është urime".

Eurodeputeti nënvizion se Shqipërisë nuk i është vendosur asnjë kusht i ri.

"Ajo që pritet është që të vazhdohet puna, të mos ndalohet procesi i reformave. Ka kushte, por nuk janë kushte të reja. Këshilli e tha fare qartë që kanë parë përparim në 5 prioritetet kyçe, por askush nuk duhet të ndalojë së punuari deri në çeljen e negociatave. Duhet vazhduar me procesin e vettingut. Duhet një ligj i mirë për reformën elektorale në përputhje me OSBE/ODIHR dhe mbështetje për të gjetur zgjidhje dhe qeveria duhet të përshpejtojë këtë proces. Aman këto nuk janë kushte të reja".

Shtyrja  e vendimarrjes pas 12 muajsh, ishte reflektim i problemeve të brendshme të unionit i cili po ashtu duhet t'i përmbush sikurse vendet aspirante reformat, detyrimet që ka për të vetëreformuar përpara se të hap dyert për t'u zgjeruar.

"25 nga 28 vende anëtare thanë po të vazhdohet me negociatat. Znj. Merkel ka bërë të pamundurën ta bind Presidentin Macron, por që gjithsesi po të lexohen konkluzionet është një rezultat i mirë ky që kemi. Ato 3 shtete nuk mbështetën çeljen e menjëhershme të negociatave, nuk e kanë bërë këtë prej Shqipërisë por prej situatës brenda BE. Ata janë të bindur që duhet të zgjidhin problemet e tyre njëherë. Në rast se nuk i kemi zgjidhur problemet tona në BE, atëherë nuk do t'ju këshilloja të bëheshit shtet anëtar pasi dhe ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë".

I pranishëm në aktivitetin e organizuar për konkluzionet e Këshillit Europian  nga fondacioni Fridich Ebert, ministri Bushati thotë se brenda këtij muaj nis procesi analitik kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me lirinë, drejtësinë, sigurinë dhe të drejtat e njeriut. Por ai njeh domosdoshmërinë dhe apelon dhe për përfshirjen e opozitës në këtë proces, në mënyrë të veçantë për miratimin e reformës zgjedhore.

"Por jemi vetëm njëra rrotë e biçikletës, sepse biçikleta ka dy rrota në këtë drejtim. Duhet dhe rrota tjetër, që është opozita dhe nuk duhet humbur kohë".

Bashkëpunim me opozitën kërkoi dhe ambasadorja në ikje e BE, Romana Vlautin.