Negociatat brenda 2019, Fleckenstein në Tiranë: S'ka kushte shtesë, qeveria të mos ndalë punën

2018-07-02 0

Pas vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë brenda vitit 2019, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në një diskutim, lidhur me atë çka pritet nga Shqipëria, pas 10 konkluzioneve të shpallura nga BE.

Mesazhi i parë i Fleckenstein ishte të mos ndalet puna për deri në çeljen e negociatave vitin e ardhshëm, ndërsa nga qeveria kërkoi përshpejtimin e këtij procesi. Gjatë tryezës së diskutimit në prani edhe të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe përfaqësues të tjerë të politikës, Fleckenstein tha se BE nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë.

Sipas tij, fokusi i punës duhet të përqendrohet te puna me Vetingun, një ligj të mirë me reformën elektorale, qeveria duhet të përshpejtojë këtë proces.

Ka kushte, por nuk janë kushte të reja. Askush nuk duhet ndaluar së punuari deri në çeljen e negociatave. Duhet vazhduar puna me Vetingun, një ligj të mirë me reformën elektorale. Qeveria duhet të përshpejtoj këtë proces. Këto nuk janë kushte të reja.