Kryeminsitri Edi Rama e konsideron si fitore vendimin për çeljen e negociatave në Qershor të vitit 2019. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se "pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Evropës së Bashkuar". Kryeministri shkruan se "rezultatet e reformave bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë". Rama shton se "një betejë tejet e vështirë u fitua, por lufta vijon".
Ndërsa për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ky vendim pozitiv i ministrave të vendeve anëtare të BE është i pari rekomandim i pakushtëzuar pas 9 vitesh negociata.
"Ministrat e vendeve anëtare të BE vendosën t'i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të KE për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe ia arritëm ditës që të kemi pas 9 vitesh aplikim në BE, të parin rekomandim të pakushtëzuar, drejtpërdrejtë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Reformat duhet të vijojnë dhe të jenë".
Por për kreun e opozitës, Lulzim Basha, hapja e negociatave u shty edhe për një vit. Sipas tij, të ardhmen e vendit e mban peng krimi i organizuar dhe korrupsioni. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se "duhet një kthesë e madhe për të shpëtuar të ardhmen europiane të vendit".
Ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar vendimin si një dështim pasi sipas tij BE ka shtyrë edhe me 1 vit hapjen e negociatave duke vënë kushte të qarta për qeverinë shqiptare. Por ministri Bushati thotë se deklaratat e opozitës janë keqdashëse.
"Opozita, në një situatë të deshpëruar, ka vendosur gabimisht një bast duke lidhur negociata me fatin e qeverisë. Është koha që t'i japim mbështetje këtij procesi".
Vendimi final për çeljen e negociatave merret në takimin e krerëve të qeverive të Bashkimit Europian në 28 Qershor.