Debati në KLD, Gjin Gjoni: Jo shkarkime. Gjonaj: KLD me dy standarde, ja kush i mbron gjyqtarët

2018-06-26 8

Kërkesa për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Ahmet Jangulli, për zvarritje gjykimi në 5 çështje administrative, është kthyer në ?mollë sherri? mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe gjyqtarit Gjin Gjoni, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjin Gjoni dhe një grup anëtarësh të KLD kanë mundësuar rrëzimin e të gjitha kërkesave të ministres Gjonaj, për shkarkim të gjyqtarëve, për shkelje të rënda në detyrë, me pretendimin se masa të tilla disiplinore nuk janë në kompetencë të KLD.

Në mbledhjen e datës 16 qershor, anëtarët e KLD, Gjin Gjoni, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Ridvan Hado, Neritan Cena, Astrit Haxhialushi dhe Gerd Hoxha kanë votuar kundër kërkesës së ministres Gjonaj për shkarkimin e gjyqtarit Ahmet Jangulli. Ndërsa, vetë zonja Gjonaj, presidenti Ilir Meta, njëherësh kryetar i KLD dhe anëtari Vangjel Kosta kanë votuar pro shkarkimit të gjyqtarit.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nuk ka preferuar të marrë pjesë në votim. Para votimit, Etilda Gjonaj dhe Gjin Gjoni janë përfshirë në një debat mbi kompetencat e KLD për shkarkimin e gjyqtarëve dhe kompetencat e ministres së Drejtësisë për t?i propozuar KLD shkarkimin e gjyqtarëve.