Prej 3 muajsh rezulton ende në kërkim për policinë e Fierit 54-vjeçari Nazmi Goxhaj. Rasti i këtij të fundit u publikua rreth 3 muaj më parë, kur familjarë të Goxhajt deklaruan largimin e tij dhe të gjitha dëshmitë tregonin se ai ishte hedhur nga ura në ujërat e lumit Seman.
Ndërsa këtë të hënë prindërit e Nazmiut, Vait dhe Halime Goxhaj i janë drejtuar sërish Drejtorisë së Policisë Fiër për të marrë informacione lidhur me zhvillimet e mundshme, që mund të çojnë në gjetjen e trupit të 54-vjeçarit. Të përfshirë nga dhimbja e dëshpërimi, prindërit e 54-vjeçarit hedhin dyshime mbi rolin e gruas së Nazmiut, dëshminë e saj në polici dhe ndihmën që mund të ketë dhënë në zbardhjen e ngjarjes.
Prindërit e Nazmit kanë thënë se tashmë ata ndjehen të vetëm në kërkimin e trupit të djalit të tyre e për më tepër nuk dinë asgjë se çfarë ka ndodhur realisht. Për Policinë e Fierit 54-vjeçari rezulton i zhdukur, ndërsa nga ana e prokurorisë po punohet intensivisht për zbardhjen e ngjarjes.