Ende pa rezultate Vetingu në Policinë e Shtetit.
Që në nisje të këtij procesi, ka patur probleme me afatet dhe dokumentat që uniformat blu duhet të dorëzonin. Procesi filloi zyrtarisht në datën 6 prill dhe dorëzimi i formularit përfundoi në datën 5 maj.
Sipas burimeve të Report Tv, para nisjes së procesit nga policia e Shtetit janë vetëlarguar 200 efektivë policie, si shefa komisariatesh, specialistë apo edhe efektivë të thjeshtë, ndërsa nga radhët e drejtuesve janë larguar vetëm 4 drejtues.
Por edhe pse dokumentacioni tashmë është dorëzuar nga 8500 efektivë të Policisë së Shtetit, ende nuk ka filluar procesi i vlerësimit të tyre.
Zëvendës ministri Julian Hodaj, është shprehur më herët se në javët e para të qershorit, priteshin rezultatet e para nga Vettingu në Polici.
Ngërçi qëndron në krijimin e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, organ që pritet të vlerësojë dokumentacionin e dorëzuar.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, në një lidhje direkte para Ministrisë së Brendshme, ka raportuar për ecurinë e këtij procesi.
Gazetari ka thënë se ky Komision ende nuk është krijuar, pasi në datën 18 qershor, Ministria e Brendshme ka publikuar 80 emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet për t?u bërë pjesë e Komisionit.
Gjatë kohës që gazetari Rusta po raportonte para Ministrisë së Brendshme, në ministri ka nxituar të hyjë, zëvendës ministri Julian Hodaj. I pyetur për rezultatet e Vetingut në Polici dhe ecurinë e verifikimit të dokumentacionit, Hodaj nuk ka pranuar të komentojë.
?Jo komente ju lutem?,-ka thënë Hodaj.