Report Tv - Breshëri shkatërron të mbjellat në Tepelenë, fermerët: Të ndërhyjë shteti

2018-06-22 0

Koha e keqe një ditë më parë ka shkatërruar të mbjellat në fshatrat e zonës së Luftinjës në verilindje të Tepelenës. Me dhjetëra hektar tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme si grurë, hasëll, misër janë rrafshuar totalisht si pasojë e furisë së breshërit që ka qenë i pandalshëm në orët e pasdites së djeshme.

Kanë mjaftuar vetëm 30 minuta breshër që të mbjellat të bien në tokë dhe prodhimi i fermerëve të kësaj zone të shkatërrohet plotësisht. Sipas tyre, humbjet përllogariten në disa milionë lekë pasi dëmet kanë qenë të pakrahasueshme me ndonjë situatë të përngjashme. Breshëri ka qenë kokërmadh aq sa ka dëmtuar hektar të tërë të mbjella me vreshtari, apo dhe drurë frutorë si dardhë, mollë, ullinj.

Të gjendur përballë kësaj situate aspak normale dhe kapriçioze të motit, banorët e zonës, kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve bujqësore.