Kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja ka folur për herë të parë për mediat, pasi kaloi me sukses procesin e Vettingut dhe u rikonfirmua në detyrë. Duke rrëfyer përjetimet e kaluara gjatë kohës kur trupa e KPK po shqyrtonte dosjen e tij, Dedja tha se t'i nënshtroheshe filtrave të Vettingut ishte njësoj si të kaloje "varrin për së gjati".
Ai tha se vendimin e KPK-së për rikonfirmimin e tij në detyrë e ka pritur në shtëpi me familjarët, ndërsa pas vlerësimit pozitiv, ka udhëtuar në drejtim të zyrës.
S'mendova kurrë të jap dorëheqjen. Të kalosh Vettingun është sikur të kalosh "varrin për së gjati". Refoma është e rëndësishme. Që nga muaji mars Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe politika duhet të gjejë zgjidhje për këtë. Nëse të gjithë s'e meritojnë, le të largohen, por sipas ligjit dhe Kushtetutës.
Për rastin tim, do merret përfaqësuesi ligjor. Kolegji i Apelimit do të caktojë standardin e kryerjes së Vettingut. S'e kam menduar kurrë që s'do e kaloja, por gjithçka mund të ndodhte. Vettingun e kam ndjekur në shtëpi me familjarët, ishte diçka me emocion. Pasi e ndoqa në shtëpi erdha në zyrë. Shqiptarët marrin drejtesi të vonuar dhe kjo është problem, sjell kosto.
Bashkim Dejda, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Kreu i shkallës më të lartë të gjyqësorit në vend tha se Vettingu është një nga ligjet më të ashpra në vend.
Vettingu është një ndër ligjet më të ashpra që ne kemi. S'di të them nëse fajin e kanë ndërkombëtarët, politika apo dikush tjetër, por kjo situatë ku jemi, do zgjidhje. Ndërkombëtarët janë ndihmues, por vendimmarrës janë shqiptarët dhe politika mori vendime. S'dua të komentoj rastin tim, pasi do të ndikonte në vendimmarrjet e komisionit të Vettingut, por avokati im nëqoftëse e vlerëson që ka shkelje, do të ndjekë hapat ligjor. Në këtë situatë ku mungojnë 6 gjyqtarë në Kushtetuese, asnjë s'duhet të zëvendësohet pa kaluar Vettingun.