Kompania Neranxi ka bërë sot kallëzim penal ndaj shefit të Komisariatit Himarë, Arqile Gjikondi për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare. Me 16.6.2018, në pronën private të Nikollaq Neranxit ku do bëhej një aktivitet kulinarie, ai urdhëroi ndalimin e aktivitetit.
Kompania kishte bërë njoftimin në Bashki dhe Polici, megjithatë Gjikondi urdhëroi ndalimin në mënyrë të jashtëligjshme. Gjithashtu kompania ka bërë edhe ankese për shpërdorim detyre dhe kryerje te veprimeve arbitrare në shkelje të ligjit nga shefi i Komisariatit të Policisë Himarë Arqile Gjikondi. Më datë 16.6.2018 ai dhe punonjësit e Komisariatit Himarë, kanë kryer shoqërimin në komisariat të 3 punonjësve të Kompanisë Neranxi. Ankesa u bë pranë shërbimit për cështjet e brendshme për këta punonjës policie të cilët kanë vepruar në shkelje të ligjit.
Ndërkohë që nëna e biznesmenit, Eftihia Neranxi shprehet se është dhunuar nga policia gjatë shoqërimit në komisariat. Pas daljes nga komisariati, ajo është rikthyer me një sëpatë në dorë duke kërcënuar policët, ndërsa një efektiv nuk e ka lejuar që të futet brenda ambienteve.