Një ngjarje brenda familjes është shënuar mesditën e sotme në qytetin bregdetar. Pas një debati në familje djali ka qëlluar me thikë duke lënë të plagosur rëndë nënën dhe babanë, ndërsa u prangos pas rreth një ore në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45 minuta në banesën tre katëshe të familjes në hyrje të qytetit të Durrësit në lagjen Nr. 1, ndërsa e pranishme në momentin e sherrit ka qenë edhe bashkëjetuesja e të riut.
Djali Hajri Neziri 25 vjeç fillimisht ka debatuar me prindërit Destan dhe Hasie Neziri 75 dhe 64 ?vjeç më pas është konfliktuar fizikisht dhe i ka qëlluar me thikë. Report Tv sjell pamjet nga banesa e familjes Neziri ku ndodhi ngjarja dhe njollat e gjakut. Konfliktin dhe të bërtiturat e prindërve i kanë dëgjuar fqinjët, të cilët kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën. Ndërkohë që djali, pasi plagosi prindërit është larguar nga banesa me shpejtësi së bashku me bashkëjetuesen duke u fshehur, por pas rreth një ore ai është arrestuar në Tiranë.
Hajri Neziri është paraqitur i lënduar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar. Aktualisht ai po merr mjekim për lëndimet që ka në trup, dyshohet nga konflikti me prindërit, ndërsa më pas do të transferohet në Durrës nga policia për t?u marrë në pyetje. I riu që plagosi prindërit në spital është shoqëruar nga bashkëjetuesja e tij.
Të moshuarit ndodhen në spitalin e Durrësit në kujdesin e mjekëve, por në gjendje shumë të rëndë për jetën. Policia po punon për sqarimin e rrethanave të konfliktit në familje që solli plagosjen e prindërve nga djali. Në javët e fundit në vend kanë ndodhur disa krime në familje.