Një shumë financiare prej 100 mijë euro besohet se është paguar për të krijuar audio-përgjimin e rremë mes dëshmitarit X, Albert Veliu dhe një 45-vjeçari nga Novosela, shok i Veliut ose siç njihet ndryshe tashmë në publik si ?Babalja?. Sipas burimeve të ?Shqiptarja.com? kjo shifër ka dalë nga dëshmia e dëshmitarit të vetëofruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i cili ka marrë përsipër autorësinë e videos, duke pohuar se personi që ka bërë rolin e Agron allias Geron Xhafaj, është pikërisht ai vetë. Banori nga fshati Novoselë, u ka deklaruar anëtarëve të grupit hetimor se shifrën prej 100 mijë euro ja ka përmendur Babalja, gjatë kohës kur ai i ka bërë ofertën, në mënyrë që ai të bënte rolin e trafikantit në këtë audio-përgjim, atë të Agron Xhafaj.
Dëshmitari i vetëofruar ka deklaruar se emrin e personit që do financonte punën e tyre për të krijuar një audio-përgjim me tematikë trafikun e drogës, nuk ja ka thënë Babalja, por banori i Novoselës ka këmbëngulur se e gjithë sasia e eurove duhet të jetë marrë nga Albert Veliu. Ky i fundit tashmë ka kërkuar strehim politik në Kosovë, duke pretenduar se në Shqipëri i rrezikohet jeta. ?Shqiptarja.com? mësohet se dëshmia e banorit të Novoselës, gjen përputhje edhe me disa biseda të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku 45-vjeçari dhe Babalja diskutojnë me njëri-tjetrin për ndarjen e fitimit, menjëherë sapo kanë parë që audio-përgjimi është botuar publikisht nga Partia Demokratike, në të gjitha mediat e vendit. Në këto biseda të përgjuara, 45-vjeçari nga Novosela, i kujton Babales se duhet të jepte pjesën e premtuar të parave, pasi në të kundërt ai hidhej nga krahu tjetër, duke nënkuptuar se do kalonte nga forca politike e PS, dhe do tregonte të gjithë të vërtetën, rreth asaj që kishin kurdisur së bashku me qëllim përfitimin monetar.