Report TV - Magjistratët, PS teston LSI-në në 28 qershor për 84 vota

2018-06-17 0

Partia Socialiste ka vendosur që testin për votat e LSI-së dhe betejën për të siguruar 84 vota ta zhvillojë në seancën plenare të 28 qershorit. 
Është kjo data kur Konferenca e Kryetarëve, vetëm me votat e socialistëve ka vendosur të hedhë në votim një projektligj për emërimin e magjistratëve dhe hapjen e pranimeve të reja në këtë shkollë. 
Ndryshimi i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, propozuar nga dy deputetë të PS-së, Manja e Ferhati, kërkon 84 vota. PS nuk i ka e vetme këto vota, ndaj i duhet ndihma e deputetëve të opozitës për të paktën 6 kartonë jeshilë. Teksa PD e ka fokusin tjetërkund dhe nuk merr pjesë në Komisionet Parlamentare, PS hedh sytë nga LSI për të marrë votat e tyre. 
Kjo për dy arsye: LSI ka një qëndrim më të butë ndaj parlamentit, duke marrë pjesë në punimet e komisioneve, dhe së dyti, disa deputetë të LSI-së nuk kanë treguar së fundmi unitet me grupin e tyre parlamentar, duke qëndruar në parlament ndryshe nga sa ka urdhëruar Kryemadhi. 

LSI është shprehur se nuk do ta votojë këtë nismë ligjore, pasi nuk dëshiron që emërimet e magjistratëve të bëhen, siç parashikon propozimi i socialistëve, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. 
Votimi i këtyre ndryshimeve ligjore parashikuar të bëhet në 28 qershor, do të testojë nëse flirtet individuale janë sporadike, apo do të konfirmohet hipoteza se ka një grup të konsoliduar deputetësh të LSI-së të cilët janë të gatshëm për të kaluar me PS-në. 
Ndryshimi ligjor i propozuar nga dy deputetë socialistë, vjen në kushtet kur KLGJ e KLP që do të kryenin këto procese ende nuk janë formuar, e po ashtu, procesi i vettingut po boshatis gjykatat e prokuroritë, duke forcuar nevojën për personel të ri.

Free Traffic Exchange