http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në një kohë që Prokuroria e Tiranës pret përgjigjen e dy letërporosive të dërguara në SHBA dhe Skoci, akuza sekuestroi regjistrat tatimorë dhe ato të degës së thesarit mbi dosjen e lobimit rus në favor të Partisë Demokratike.
Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë për Vizion Plus se veprimi procedural bëhet për të krahasuar pasqyrat financiare të sekuestruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me deklarimet zyrtare në organet tatimore për pagesat e dorëzuara nga Partia Demokratike.
Për këtë Prokuroria nisi dhe hetimin me akuzën e falsifikimit të formularëve pas dyshimeve se Partia Demokratike ka dorëzuar në KQZ të dhëna të rreme për financimin.
Lidhur me dosjen, hetimi i së cilës nisi në nëntor të vitit 2017 akuza shqiptare dërgoi dhe dy letërporosi në Shtetet e Bashkuara dhe Skoci, ku kërkohej informacione se si lobuesi i Partisë Demokratike Nikolas Muzin u pagua për të vendosur kontakte në Uashington.
Për të njëjtin hetim në pyetje u mor edhe Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, i cili përsëriti se Partia Demokratike nuk ka asgjë për të fshehur dhe se akuzat janë thjesht një tymnajë.
Selia blu pretendon se i ka paguar kompanisë ?Biniatta Trade? të Muzin, 150 mijë dollarë për lobim. Por sipas kompanisë së Nikolas Muzin, rezulton se ka marrë tre pagesa në një shumë prej 675 mijë dollarësh për punën në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.