Ekskluzive/Dhuratat për prokurorin Gentian Trenova nga daja dhe halla, deklarimi i pasurisë

2018-06-14 5

Gentian Trenova është prokurori i radhës, i cili do të paraqitet sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, për t?u njohur me rezultatet e hetimit rreth ligjshmërisë së pasurisë së tij, kontakteve të mundshme me krimin dhe aftësisë profesionale. Nga procesi i deritanishëm, ligjshmëria e pasurisë mbetet elementi përcaktues për shkarkimin nga detyra apo konfirmimin në detyrë të çdo prokurori dhe gjyqtari që i është nënshtruar Vetingut. Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht pasurinë e prokurorit Trenova që nga deklarata e parë e vitit 2004, pasuri e cila i është nënshtruar një hetimi të thelluar nga njerëzit e Vetingut dhe përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit.

Në vitin 2005, prokurori i Krimeve të Rënda Gentian Trenova deklaron 200 000 lekë dhurata për festa dhe ditëlindja nga kushërinjtë. Një vit më vonë, pra në vitin 2006, deklaron shuma parash dhuratë nga daja, djali i dajës, vajza e dajës dhe halla. Konkretisht deklaron dhurata për ditëlindje, 25 mijë lekë nga djali i dajës, 100 euro nga daja, 250 euro nga vajza e dajës, 300 euro nga vajza e dajës, 200 euro po nga vajza e dajës, 100 euro gjithashtu nga vajza e dajës si dhe 250 euro halla. Sa i takon pasurive të paluajtshme, prokurori Trenova deklaron në vitin 2004 një shtëpi banimi 1+1, me vlerë 3 500 000 lekë, ku posedon 1/3 e saj.

Në vitin 2007, prokurori deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 50 m2, me vlerë 1.9 milionë lekë. Për blerjen e kësaj pasurie, ka marrë një kredi, po në vitin 2007, në shumën 28 mijë euro, me afat 15 vjet. Por, këtë kredi, prokurori thotë se e ka shlyer totalisht në vitin 2012, nga kursimet nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Po gjatë këtij viti, prokurori Trenova deklaron marrjen e një kredi në shumën 600 000 lekë, me afat 3 vjet. Gjithashtu thotë se ka marrë hua nga të afërmit 300 000 lekë, ndërsa ka dhuruar një pasuri të paluajtshme, të dhënat për të cilën nuk janë publikuar në deklaratën e pasurisë që posedon Shqiptarja.com. Ndërkaq, kredinë që ka marrë në vitin 2012, e ka shlyer plotësisht një vit më pas, pra në vitin 2013.