Krimi i pasionit në Tiranë, SHÇBA: Punonjësit e policisë s'kanë asnjë përgjegjësi penale

2018-06-13 0

Pas lajmit të publikuar në Report Tv se tre javë para vrasjes Xhuljeta Çuni kishte kërkuar ndihmën e policisë duke denoncuar përndjekësin Xhaferr Mata, ka reaguar dhe Ministria e Brendshme nëpërmjet shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Sipas SHÇBA, efektivët e policisë që kanë trajtuar kallëzimin penal të Xhuljeta Çunit nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore dhe e kanë trajtuar rastin konform ligjit, duke e përcjellë kallëzimin në Prokurorinë e Rrethit. Pasi Prokuroria ka regjistruar materialin e referuar nga policia, ky organ nuk i ka deleguar policisë asnjë veprim shtesë sqaron SHÇBA.

Një ditë më parë, Report Tv zbardhi kallëzimin e Xhuljeta Çunit, e cila mesditën e 6 Majit 2018 trokiti në dyert e komisariatit numër tre u kërkoi që të ndalej Xhaferr Mata si përndjekës dhe person që i kërcënonte jetën. Kallëzimi i Matës më 7 Maj u referua në Prokurori, por nga ai moment nuk rezulton se Xhaferri të jetë marrë në pyetje apo të jetë vënë në survejim.

Paçka se një person në hetim për një vepër të rëndë penale si përndjekja Xhaferr Mata 31 vjeç pati mundësinë të sigurojë një armë pa leje për t?i marrë jetën Xhuljeta Çunit mëngjesin e 8 qershorit, teksa e reja ishte nisur për të dhënë provimin e maturës në Letërsi.