Aktorët letër Metës: Nëse nuk ka reagim do uzurpojmë Teatrin Kombëtar, Nrenika: Kjo është luftë

2018-06-13 1

TIRANE-Një përfaqësi e komunitetit të artistëve të Teatrit Kombëtar deklaruan nga Komisioni i Medias se i kanë dërguar një letër Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit duke kërkuar që të anulohet vendimi për prishjen e godinës. Ata paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk do të kthehet një përgjigje, do të uzurpojnë godinën e Teatrit Kombëtar.

I kemi përgatitur një letër drejtuar Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Shprehim indinjatën për projektligjin e Ministrisë së Kulturës për të shkatërruar goditën e Teatrit. Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë. Prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur. Parlamenti zhvendoset nga detyra për të hartuar projektligje, kthehet në noter. Vendimi mund të krijojë një kolaps në vend. Nëse deri të premten nuk do të kemi reagim, atëherë do të uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar, si e vetmja formë që zëri jonë të dëgjohet.

Përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar
Opozita nuk ishte e pranishme në Komisionin e Medias, ku u realizua dëgjesa me aktorët. I pranishëm në komision aktori i njohur Robert Ndrenika, i cili u shpreh se mungesa e shumicës tregon se këtu duhet të fillojë 'lufta?. Ndrenika theksoi se aktorët janë përbuzur dhe braktisur, ndërsa projektin e ri e cilësoi si vjedhje.