Vendet që lagen nga deti Adriatik dhe Jon sot kanë përmbyllur stërvitjen e përbashkët ushtarake në bregdetin shqiptar. 300 ushtarakë pjesmarrës me gjashtë anije nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi,Greqia, Sllovenia dhe Italia sot kanë mbyllur stërvitjen e përbashkët të përvitshme të quajtur Adrion.
Stërvitja është zhvilluar me vendet që lagen nga deti Adriatik dhe Jon. Platforma e bashkëpunimit të forcave të armatosura detare, ka startuar në datë 3 qershor dhe është përmbyllur në Vlorë.
Siguria rajonale në det mbetet qëllimi dhe objektivi kryesor i stërvitjes realizuar në Shqipëri, por edhe rritja e bashkëveprimit mes forcave të armatosura detare. Autoritete të larta ushtarake nga të gjitha vendet pjesëmarrëse janë bërë pjesë e përmbylljes stërvitore në det, në gjirin e Vlorës, si një vlerësim për bashkëpunimin mes forcave detare të vendeve të rajonit.