Nis nderhyrja ne aksin Tirane – Durres

2018-06-11 0

Punimet për ndërhyrjen emergjentë në shtresat e asfaltit të segmentit Tiranë-Durrës kanë filluar që në orët e para të mëngjesit të së hënës. Në total do të rehabilitohen 31 mijë metra katrorë, në të dy anët e rrugës përmes një fondi me vlerë 650 mijë euro të siguruar nga kontrata e mirëmbajtjes së rrugëve me Bankën Botërore. Asfaltimi i këtij aksi ishte i domosdoshëm për shkak të degradimit të pjesës më të madhe të saj.

Kantieri i punimeve do të jetë i hapur edhe gjatë natës, me qëllim që asfaltimi i rrugës të bëhet sa më parë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi mirëkuptim për devijimet që do të ketë ky aks, por nuk harroi të kujtojë edhe përgjegjësitë për ata që nuk e menaxhuan si duhet kontratën me Bankën Botërore.

?Bëhet fjalë maksimumi vetëm dy javë shqetësim. Të njëjtën gjë mund të them edhe për segmente të tjera rrugore ku mund të ketë kufizime të qarkullimit për shkak të ndërhyrjeve të nevojshme. Fakti që filluam tani, dua ta theksoj, është për shkak të lënies pas dore për shumë kohe dhe keqmenaxhimit të kësaj kontrate në fazat e para?, tha Gjiknuri.

Por kjo ndërhyrje nuk do të jetë përfundimtare, pasi qeveria po kërkon të gjejë financime nga buxheti i shtetit për të bërë një rehabilitim të plotë dhe më afatgjatë të rrugës.

?Natyrisht nuk është rehabilitim i plotë, projekti i rehabilitimit të cilin e bëmë gati Banka Botërore nuk iu përgjigj sepse dilte jashtë kontekstit të kontratës. Autoriteti Rrugor është duke e përpunuar këtë projekt dhe po mundohemi për të gjetur fondet për ta bërë me Buxhetin e Shtetit?, tha Afrim Qendro, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Brenda Qershorit i gjithë aksi do të jetë i përfunduar. Bashkë me Policinë e Shtetit, Autoriteti Rrugor ka përgatitur edhe një hartë të devijimit të trafikut gjatë kohës që po ndërhyrjet në këtë segment. Trafiku ishte i rënduar në pjesën e rrugës dytësore Tiranë-Durrës dhe në Qafën e Kasharit afër mbikalimit ku shkon për në Rinas.

Free Traffic Exchange