Report TV - Dëshmitari i ri: 'Babalja' nuk më pagoi që u shtira si Agroni, ndaj e denoncova

2018-06-09 3

Dëshmitari i vetëofruar në Prokurori ka treguar një version krejt të kundërt nga Albert Veliu (Babalja), duke pretenduar se e vërteta absolute e këtij audio-përgjimi është fund e krye një trillim i orkestruar mes tij dhe vetë Babales. Qëllimi i vetëm, sipas tij, ka qenë fitimi i një shume parash, dhe asnjë gjë tjetër, pa e menduar mirë dhe gjatë se çfarë impakti do sillte ky audio-përgjim me aktorë, në jetën politike të vendit.

Shuma e këtij shpërblimi dhe emri i këtij personi të vetëofruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tashmë dihet nga prokurorët, të cilët pritet që brenda 1 jave të japin një rezyme të qartë mbi këtë audio-përgjim, personazhet e tij, aktorët që e kanë financuar dhe ata që kanë qëndruar në distancë.

Personazhi i vetëofruar ka shmangur totalisht vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, duke pohuar se ai është kthyer viktimë e hakmarrjes personale e Albert Veliut dhe dëshirës për të fituar para nga kjo histori përgjimi, që u denoncua nga PD si një rast flagrant i implikimit të Geron Xhafaj në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të brigjeve Italiane.

?Shqiptarja.com? mëson se ky person i vetëofruar është i papunë, rreth 45-vjeç dhe jeton në Novoselë, fshat që ndodhet buzë lumit të Vjosës, ku ndahet vija administrative mes Fierit dhe Vlorës. Me probleme të theksuara ekonomike dhe familjare, ky njeri ka rënë dakord të luajë rolin e Agron allias Geron Xhafaj në audio-përgjimin, tashmë të shumë përfolur dhe që trazoi jetën politike të vendit. Me Albert Veliun, që PD e etiketoi si dëshmitari ?X?, ky person ka njohje, për më tepër ka dyshime se ka lidhje farefisnie.

Banori i Novoselës u ka pohuar prokurorëve të Krimeve të Rënda se është njeriu që ka aktruar në atë audio-përgjim, duke bërë rolin e Agron Xhafaj. Sigurisht që marrja përsipër e këtij roli do të sillte një shumë financiare në xhepat e banorit të Novoselës, para këto që nuk kanë mbërritur ende tek ai. Në dëshminë e dhënë para anëtarëve të grupit hetimor dëshmitari i vetëofruar ka theksuar se 'Babalja' i ka premtuar një sasi të konsiderueshme lekësh, nëse e bënte këtë shërbim.