Policia e Vlorës ka ndaluar njërin nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit 29-vjeçar Vasil Dervishaj, pronar i një bar-kafeje të quajtur "Gimoka" dhe një dyqani elektroshtëpiakesh, i cili u ekzekutua me një plumb në kokë teksa dilte nga automjeti i tij, në lagjen "Pavarësia", rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së hënës. Biznesmeni Dervishaj mësohet se kishte ndërhyrë pas sherrit të një të afërmi të tij me autorët. Ndërkohë, ata kanë debatuar edhe në telefon pak orë përpara se të ndodhte krimi, ndërsa nga burime të besueshme mësohet se biznesmeni kishte shkuar të sqarohej me autorët mbrëmjen kur u vra.
Një ditë pasi zbardhi ngjarjen, ku identifikoi dy autorët e krimit dhe arrestoi dy bashkëpunëtorët, policia ka ndaluar shtetasin A. C., 28 vjeç, banues në Vlorë, si dhe ka sekuestruar një xhup, një kapuç, automjet tip "Audi" me targa AA830RA, dhe 1 palë targa të tjera (italiane) AH63435, që dyshohet se janë përdorur në momentin e ekzekutimit të biznesmenit Dervishaj.