Report TV - Pediatrija Kraja: Variçela nuk është aq e rrezikshme, nuk ka vend për panik

2018-06-07 5

Tendenca e prindërve është që me shqetësimin e parë të fëmijës ta dërgojnë atë tek mjeku. Megjithatë mjekja pediatre Ilsa Kraja rekomandon shmangjen në mënyrë kategorike të antibiotikëve. E ftuar në emisionin Rreze Dielli në Report Tv, mjekja pediatre Ilsa Kraja,këshillon përdorimin e çajrave apo ilaçeve të lehta. Sipas saj antibiotiku përdoret vetëm në rastet kur gjëndja gripale ka avancuar dhe zgjat për shumë kohë.Së fundmi është vënë re një shtim i rasteve të fëmijëve me variçelë. Shqetësimi i prindërve, sidomos për faktin që kjo është një sëmundje ngjitëse ka ardhur duke u shtuar. Sipas pediatres Kraja, çështja e variçelës nuk duhet të zmadhohet kaq shumë. Ajo është një sëmundje e cila kalohet tek të gjithë fëmijët, por duhet të tregohet kujdes , sidomos tek fëmijët me imunitet të dobët.

Nuk e di nëse mund ta quaj epidemi, por kemi shumë raste të fëmijëve me variçelë, ose siç e njohim të gjithë "Lia e dhenve". Do të thoja që variçela nuk është nga ato sëmundjet e rënda. Variçela është një ndër sëmundjet infektive që e kalojnë të gjithë fëmijët që nuk janë të vaksinuar. Në shumicën e rasteve kalohet në formën më të lehtë të mundshme.

Ka raste kur fëmijët kanë imunitet më të ulur dhe shprehet në formë më të rëndë, por shumicën e rasteve shoqërohet me pak rrufë apo tështima ditët e para, pak temperaturë dhe shfaqen elementët në lëkurë në formë flluskash me ujë, por që vetëkufizohen brenda një jave. Unë nuk do ta zmadhoja kaq shumë çështjen e variçelës. Është një sëmundje komune që prek gjithë fëmijët. Sa më të vegjël të jenë aq më lehtë e kalojnë . Mund të kalohet me pak paracetamol, pak pudër për lëkurën për të eleminuar kruarjet dhe jo larje të fëmijës.

Mjekja pediatre Ilsa Kraja