Tendenca e prindërve është që me shqetësimin e parë të fëmijës ta dërgojnë atë tek mjeku. Megjithatë mjekja pediatre Ilsa Kraja rekomandon shmangjen në mënyrë kategorike të antibiotikëve. E ftuar në emisionin Rreze Dielli në Report Tv, mjekja pediatre Ilsa Kraja,këshillon përdorimin e çajrave apo ilaçeve të lehta. Sipas saj antibiotiku përdoret vetëm në rastet kur gjëndja gripale ka avancuar dhe zgjat për shumë kohë.
Unë do iu rekomandoja prindërve që të mos prezantohen te mjeku që ditën e parë. Nëse ata kanë parasysh disa gjëra do ta shohin që mund ta kalojnë shumë mirë edhe në shtëpi. Këshilloj antibiotik sa më pak .Shoh që prindërit shqiptarë janë shumë të axhituar, frikacakë dhe shkojnë menjëherë te doktori.
Ka prindër që insistojnë që ne tu japim fëmijëve antibiotikë. Insistojnë sepse duan të jenë të sigurt. Na thonë : " Beja të gjitha vetëm shëroje". Po në fakt nuk është kështu. Mbi 85 % e infeksioneve tek fëmijët , janë infeksione virale të cilat kalojnë ditën e tretë apo të katërt. Ne rekomandojmë përdorimin e paracetamolit apo ibuprofenit në varësi të situatës. dua të theksoj që këto 2 ilaçe nuk jepen vetëm në rastet e temperaturës. Ne duhet të sigurohemi që fëmija të ketë një gjëndje të përgjithshme të mirë.
Mjekja pediatre Ilsa Kraja