Shtëpia e ish-deputetit dhe ish-shefit të komisariatit të Policisë së Shkodrës, Shyqyri Çela u sulmua rreth orës 03:00 pas mesnate me dy granata dore në lagjen 'Rus' të Shkodrës. Vetëm njëra prej tyre shpërtheu duke shkaktuar dëme materiale. Në shtëpi ndodhej vetëm ish-deputeti, i cili është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një muaj më parë, ku jeton me familjen.
Në vendngjarje policia sekuestroi si provë materiale edhe granatën e paplasur. Nga shpërthimi i granatës u dëmtua lehtë një nga xhamat e dritareve të shtëpisë dhe dëme të tjera të vogla. Ish-oficeri tha në polici se nuk ka konflikte apo ndonjë dyshim se përse mund të ketë ndodhur ngjarja. Çela ka shërbyer si shef komisariati në Shkodër dhe Peshkopi, në fillim të viteve 90-të.
Në vitin 1996 ai u zgjodh deputet i Partisë Aleanca Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Ai vendosi të largohej për në SHBA, pas një konflikti të vëllait të tij Ilir Çela. Ngjarja ndodhi në qendër të Shkodrës, kur pati edhe një shkëmbim zjarri mes vëllait te tij me disa persona të tjerë. Prej vitit 1998, ai u largua në SHBA, por çdo vit është rikthyer në Shqipëri ku ka qëndruar me periudha të ndryshme.