10 vite burg per vrasesin e Artan Cukut

2018-06-05 6

Mikel Shallari, vrasësi i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Artan Cuku, është denuar me 10 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Togat e zeza miratuan këtë të martë akt-marrëveshtjen mes të pandehurit dhe prokurorisë për pranimin e fajesisë dhe caktimin e masës së dënimit. Sipas kësaj marrëveshje, 24-vjeçari ka statusin e bashkëpunëtorit te drejtësisë pasi tregoi emrin e porositësit të vrasjes dhe bashkëpunëtorit tjetër.

Sipas dëshmisë së dhënë nga Shallari, ai është kontraktuar për të kryer krimin nga Bledar Jambelli dhe ndërmjetës me të ka qenë djali i dajës së tij Kristaq Leci. Ndër të tjera në deponimet e tij Shallari ka zbuluar se do të paguhej nga Jambelli për vrasjen 20 mijë Euro, para të cilat nuk i mori asnjëherë në dorë. Po i dërgoheshin herë pas here nga jashtë vendit nga kushëriri i tij. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka zbuluar dhe motivin e vrasjes së oficerit te policisë. Shallari i ka thënë hetuesve se Jambelli donte ta vriste pasi Cuku e kishte arrestuar në vitin 2012 për vrasjen e Amarildo Delaj.

I riu ka treguar edhe planin e vrasjes i cili u hartua në fund të muajit Mars te vitit  2017. Fotografinë e objektivit ai e mori nga Bledar Jambelli i cili e shkarkoi nga interneti. Më pas ai i siguroi një mjet me qira dhe rreth 3 mijë Euro. Për disa ditë, ai së bashku me djalin e dajës së tij survejuan Artan Cukun, të cilin vendosën ta vrasin më datë 8 Prill në hyrjen e pallatit të tij. Për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin gjykimi do të vazhdojë i ndarë pasi ata ende nuk janë arrestuar dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit.