Ministri Xhafaj dekoron oficerin amerikan Jan Hiemstra: Kontribues në luftën kundër krimit

2018-06-04 0

Në përmbyllje të misionit si Shef i Zyrës Rajonale të Sigurimit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Ministri i Brendshëm dekoroi oficerin amerikan Jan Hiemstra.

Ministri Xhafaj vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një partner shumë i rëndësishëm për agjencitë ligj zbatuese shqiptare.

Dëshiroj të vlerësoj bashkëpunimin shumë të mirë që ne kemi në fushën e sigurisë ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së, veçanërisht asistencën mjaft të vyer që SHBA japin ndaj agjencive të sigurisë në vend dhe veçanërisht Policisë së Shtetit, në shumë fusha.

Ju sot po e përmbyllni këtë detyrë, duke lënë pas një kontribut të spikatur në mbështetje të Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, falënderoi Hiemstran për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të paligjshëm.

Kontributet e Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe konkretisht të drejtuesit të saj në forcimin bashkëpunimit dhe ndihmës së pakursyer për Policinë e Shtetit, vlerësohen si tepër të dobishme në realizimin e misionit tonë. Z. Hiemstra ka dhënë kontribut të çmuar në përmbushjen me sukses të disa operacioneve të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, nëpërmjet një sërë aktivitetesh trajnuese të specializuara, apo projekte për strukturat kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.