Monedha e përbashkët europiane nuk ndalet në rënien e saj. Sot ajo ka arritur një tjetër rekord në tregun vendas, duke u këmbyer me 125.4 lekë.
Por edhe pse dobësimi i saj ka më shumë se dy vite në treg, çmimet nuk po lëvizin. Raporti mes importit dhe eksportit në Shqipëri është 1 me 3, ku 80% e tregtisë bëhet me vendet e eurozonës, por ulja e euros nuk ka ndryshuar çmimet e shumë produkteve.
Sektori bujqësor është ai që prej kohësh kërkon reflektimin e uljes së euros në çmime. Agim Rrapaj thotë se nafta, lëndët e para dhe plehrat kimike që duhen për këtë industri kanë të njëjtin çmim, madje disa janë rritur.
Bizneset nuk harrojnë të kujtojnë edhe dukuri të kundërta, kur vlera e euros është rritur bashkë me çmimet. Ndërsa ekonomistët kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet për të shpëtuar sektorin e eksportit.
Përgjatë sezonit të verës, euro parashikohet të vazhdojë rënien për shkak të volumeve të mëdha të saj që pritet të hyjnë në treg në periudhën kulmore të mbërritjes së vizitorëve në Shqipëri.