PD: Rama-Xhafaj po ndjekin me polici Lulzim Bashen

2018-06-01 0

Partia Demokratike denoncoi ndjekjen, që sipas saj struktura të Policisë së Shtetit po i bëjnë Lulzim Bashës dhe familjes së tij. Në një dalje për mediat, nënkryetari i demokratëve Edmond Spaho tha se mbikqyrja e Bashës bëhet për interesa kriminale dhe se pas këtij akti antiligjor qëndron Kryeministri dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

"Operacioni klandestin i ndjekjes dhe përgjimit 24 orë të kryetarit të opozitës dhe familjes së tij është operacion i paligjshëm, antikushtetues dhe kriminal. Operacioni klandestin është konceptuar dhe zbatuar nga Fatmir Xhafaj, ish-hetuesi i dhunshëm i komunizmit, me urdhër të Edi Ramës. Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale.

Ky operacion dëshmon se qeveria funksion si një pushtet privat kriminal në mbrojtje të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar ku janë përfshirë drejtuesit më të lartë të qeverisë. Këto operacione klandestine kriminale kanë garancinë e mbrojtjes nga prokuria politike e drejtuar nga Arta Marku, përfaqësuesja dhe shërbëtorja politike e dyshes Rama-Xhafaj".

Por ky pretendim i Partisë Demokratike u hodh poshtë përmes një deklarate nga ana e Policisë së Shtetit.

"Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore. Theksojmë se Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës. Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit".

Çështja e ndjekjes dhe përgjimit nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit ishte edhe në qendër të një takimi që Basha pati në orët e paradites me drejtues të lartë të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar. Më pas tre deputetët Edi Paloka, Flamur Noka e Enkelejd Alibeaj u takuan me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Shqetësimin, Basha mësohet se ia ka shprehur grupit parlamentar demokrat.