Liga e Kombeve është një turne i ri që do të nisë këtë vit. Kjo është një mundësi më shumë për t'u kualifikuar në finalet e Europianit. Shqipëria është në Divizionin C në një grup me 3 ekipe ku bëjnë pjesë Izraeli dhe Skocia. Ish-trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi i ndodhur në Zyrih për të ndjekur miqësoren me Kosovën komenton për TV Klan kundërshtarët.
"Me Izraelin është problematike, pasi ka shumë lojtarë të cilët njihen pak sepse luajnë në kampionatin vendas. Ndeshja zhvillohet në fillim të sezonit në Shtator dhe uroj që gjendja e futbollistëve që do të grumbullohen të jetë e mirë. Skocia është një ekip fizik. Parashikoj një ndeshje të vështirë. Megjithatë e rëndësishme është që të shkojnë të përgatitur".
Liga e Kombeve vlerësohet edhe nga ish-kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala.
"Është një model i ri, por shpresoj që të jetë më i mirë. Mendoj se i bën ndeshjet më serioze dhe automatikisht duhet të mbash tonin më lart. Më mirë për Kombëtaren dhe Federatën".
Ndeshjet për Ligën e Kombeve do të nisin në Shtator dhe faza e grupeve mbyllet në Nëntor. Fituesi i grupit kalon në fazën finale ku do të përcaktohet fituesi i divizionit që shkon në finalet e Euro 2020.