Në Gjermani, thirrje për hapjen e negociatave: Shqipëria e meriton më shumë se kushdo në rajon!

2018-05-28 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT

Ndërsa dita vendimtare, në të cilën vendet anëtare të Bashkimit Europian do të votojnë për hapjen e mundshme të negociatave me Shqipërinë po afron, në Gjermani shtohen thirrjet që mbështesin kandidaturën e vendit tonë.

Së fundmi, Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme, një "think tank" i pavarur me shumë influencë në jetën politike gjermane publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se pavarësisht sfidave ende të rëndësishme me të cilat përballet vendi ynë, "asnjë shtet tjetër në rajon nuk ka bërë aq sa Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave".

Sipas këtij raporti, një ndër pikat më të rëndësishme në të cilën ka përparuar Shqipëria është reforma në drejtësi. "Duhet të pranojme se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë një përpjekje serioze për të reformuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë. Ky është një proces i pandalshëm dhe që krijon themelin për sukses në fusha të tjera kyçe, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", theksohet në dokument.

Raporti shkon më tej, kur thotë se dhënia e një drite jeshile për hapjen e negociatave është shumë e rëndësishme edhe për vetë interesat e Berlinit Zyrtar.

"Një "jo" nga Berlini jo vetëm që do të destabilizonte Shqipërinë, por do të kishte një ndikim negativ në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor - dhe kështu do të kundërshtonte interesat e sigurisë të Gjermanisë. Në të kundërt, një "po" do të ishte një sinjal i qartë se Gjermania dhe BE, po shpërblejnë përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar - edhe nëse ende duhet të kapërcejnë shumë pengesa perpara pranimit", shkruhet që në preambulën e këtij dokumenti.

Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/ne-gjermani-thirrje-hapjen-e-negociatave-shqiperia-e-meriton-me-shume-se-kushdo-ne-rajon