?Po mbroheshim nga policia, kur jam goditur në kokë. Kam 10 qepje në kokë?. Kështu u shpreh kryeredaktori i RD, Blendi Kasmi, nga Spitali Ushtarak, teksa u vizitua nga kryetari i PD, Lulzim Basha.
Kasmi ndodhet në kujdesin e mjekëve te Trauma. Ai ka thënë se ndodhej pranë protestuesve dhe kur ata janë përplasur me policinë, ai ka tentuar të mbrohet nga dhuna, sipas tij, e forcave të rendit. Por nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Kasmi nuk duket aspak duke ushtruar detyrën e gazetarit.
Ai është filmuar teksa shtyn me protestuesit rrjetën e hekurit në drejtim të policisë, me qëllim çarjen e kordonit të forcave të rendit.
Kanë qenë dy ose tre nga këta policët në mënyrë të pabesë, më kanë goditur, më goditën në fillim me shkop dy herë, por më pas një tjetër më ka goditur në kokë. Pata si ndjenjë të fikti, pastaj pas 10-15 minutave erdhi ambulanca. Kam dhjetë qepje në kokë. Por nuk është surprizë për derisa ministri vjen nga diktatura. Vokshi dhe Strazimiri më dha ndihmën e parë.
Bledi Kasmi, kryeredaktor i RD
I ashpër në fjalën e tij ishte Lulzim Basha i cili akuzoi policinë se është në shërbim të Fatmir Xhafajt. Sipas kryetarit të PD, largimi i Xhafajt është emergjencë kombëtare.