Akuzat për një skenar kriminal të vënë në zbatim nga ministri i Brendshëm për të mos lejuar hetimin ndaj vëllait të tij, Agron Xhafaj, Lulzim Basha i vijoi edhe në seancën plenare të së enjtes.
"Ka për qëllim të mbulojë komplotin anti-ligjor, të ndërmarrë në bashkëpunim nga strukturat mafioze për të shkatërruar provat, për të intimiduar, blerë denoncuesit e krimit që shqiptarët e kanë parë me zë dhe figurë".
Për shkak të tejkalimit të kohës, mikrofoni iu mbyll.
Kaq mjaftoi për të bllokuar foltoren e kuvendit, por kësaj radhe demokratët protestuan edhe me një banderolë në të cilën shkruhej "Shqipëria si gjithë Europa, jo qeveri e krimit dhe e drogës".
Ndonëse pati dy ndërpreje të njëpasnjëshme të seancës plenare, Lulzim Basha u kujdes edhe këtë të enjte që akuzat t?i vijonte nga rrjetet sociale.
"200 mijë Euro i janë ofruar një të afërmi të dëshmitarit X nga persona vrasës të skeduar nga Vlora e Fushë-Kruja për të mohuar dëshminë publike".
Por Edi Rama është i bindur në falsitetin e audio-përgjimit, kur tha se gjithçka është një tallje pas së cilës fshihet skenari i opozitës për destabilizimin e vendit.
"Çfarë do mendoni për veten tuaj kur kjo që unë them të dalë siç e them unë dhe kur të mësoni që bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë ju, që synon destabilizimin e vendit. Kjo është histori banale dhe pa lidhje me personin e akuzuar dhe historia pas audiopërgjimit është më e hatashme. Ça shihni janë vetëm aktorë, luajnë rolin. Kam shumë shpresë të dalin nga hetimi autorët, regjisorët dhe producentët, këta janë aktorë".
Lulzim Basha, armikun e Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian, e sheh tek lidhjet e qeverisë me krimin, ndaj dhe të fundit thirrje e pati për shqiptarët që t?i bashkohen protestës së opozitës më 26 Maj.
"Edi Rama, ti je pengesa, ndaj dhe kur qeveria bie, populli merr ne dorë fatet e tij".
Për të gjithë ata që do të protestojnë të shtunën, Kryeministri rezervoi këtë përgjigje:
"Në protestë mund të dalë kushdo, s'e prek kush me dorë duke ruajtur vijat. Por pyetja këtu s?është protesta, por tallja e madhe. Mendojeni këtë që po ju them që mos ju duket vetja të keqpërdorur me parlajmerim. Ky është paralajmërim që video-përgjimi është i fabrikuar si video-përgjim i dikujt që nuk është fare e atyre dhe bëhet për të shkatërruar në metrat e fundit negociatat. Çdo shqiptar që s'i do negociatat, të shkojë në protestë. Kush i do negociatat, shkon aty për të kontribuar për të kundërtën".
Pas largimit të opozitës nga salla, mazhoranca miratoi e vetme rezolutën e saj mbi rekomandimet e Raportit të Komisionit Europian.