Kreu i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e ka sqaruar nga qyteti i Gjirokastrës periudhën tranzitore që konsiderohet për zbatimin në bazë të vlerës së pasurisë të taksës së pronës. Arben Ahmetaj tha se ligji i ri ka dhënë të drejtë bashkive që nuk janë gati për llogaritjen e taksës që të përdorin metodën e vjetër në bazë të metrave katrorë deri në përgatitjen e vlerave.
"Ligji i ka dhënë të drejtë njësive vendore që nuk bëhen dot menjëherë gati për metodologjinë e re të bazuar te vlera, për një periudhë tranzitore mund të përdorin metodologjinë e vjetër. Pra, taksa vazhdon aplikohet, taksa nuk është shtyrë, por ka një periudhë tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën".
Në vitin 2019 nuk do të ketë asnjë tolerancë për asnjë bashki që vonon aplikimin e metodës së re për taksën e pronës. Në datën 1 Prill qeveria ndryshoi mënyrën e taksimit të pasurisë, nga pagesa për metër katrorë që vilej më parë, tashmë taksa do të mblidhet çdo vit sa 0.05% e vlerës së tregut që ka prona. Autoriteti për vjeljen e saj i është deleguar bashkive, të cilat do ta merrnin taksën nga faturat e ujit, por jo të gjitha njësitë vendore kanë nisur zbatimin e saj.