Tre zyrtarët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj kanë dhënë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me përgjimin e PD, ku pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës.
I pari që doli nga Prokuroria ishte eksperti ligjor në PD, Gazmend Bardhi i cili deklaroi se është pyetur rreth fakteve dhe provave të publikuara nga PD, ndërsa shtoi se duhen dënuar në mënyrë spektakolare personat e përfshirë në trafik droge. Ndërsa deputeti Ervin Salianji është pyetur nga prokurorët e Krimeve të Rënda për rreth dy orë me radhë. Salianji tha se Prokuroria është e fokusuar më tepër te kallëzimi i rremë i Xhafajt sesa te akuzat ndaj tij.