Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për audio përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike dhe rreth video dëshmisë së Albert Veliut për të zbuluar se kush është autori i vërtetë i përgjimit, dhe për të vërtetuar nëse Agron Xhafaj është pjesë e trafikut të drogës, siç pretendon opozita.
Pasi Veliu është marrë në pyetje të premten për më shumë se 5 orë, një burim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda i tha Report TV së i është dërguar fletëthirrje për tu paraqitur në prokurori edhe gazetarit Jetmir Olldashi.
Olldashi pritet të dëshmojë ditën e Hënë. Burime nga prokuroria pohojnë se pjesë e hetimit për të cilën do të pyetet Jetmir Olldashi është deklarata e Albert Veliut për blerjen e 20 kileve kanabis, dhe nëse Olldashi ka dijeni.