Bien nga lartësia 2 djem te Shpella e Pëllumbasit, njëri shpëtohet nga policia, tjetri nuk gjendet

2018-05-19 0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në vendin e njohur si "Shpella e Pëllumbasit" në Tiranë, ku dy turistë kanë rënë nga lartësia dhe kanë përfunduar në humnerë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 të kësaj të shtune.

Bëhet fjalë për Xhorxho Seferin dhe Fabio Dukagjinin, të dy të moshës 21-vjeç. Ky i fundit kishte mbetur në një grykë kanioni, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe policisë është bërë e mundur nxjerrja e tij nga kanioni. Dy të rinjtë kanë rrëshqitur teksa po ecnin mbi shkëmbinj duke rënë nga lartësia.

Fabio Dukagjini ka pësuar dëmtime të lehta, ndërkohë që është dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore të nevojshme, ndërsa shoku i tij, Xhorxho Seferi, ende nuk është gjetur pavarësisht lokalizimit të vendit ku ai ka rënë. Ekipet e polumbarëve kanë vijuar kërkimet në lumin Erzen, pasi dyshohet se është marrë nga rrjedha, deri në rënien e errësirës.

Në orët e para të mëngjesit pritet të rinisë puna për gjetjen e 21-vjeçarit Xhorxho Seferi.

Free Traffic Exchange