Gazetari Jetmir Olldashi doli sot në një konferencë për shtyp, duke marrë përsipër investigimin mbi Agron Xhafajn, por njëkohësisht dekonspiroi burimin e tij, ?Dëshmitarin X?, Albert Veliu, të njohurit si ?Babalja? në Vlorë. Olldashi tha se ishte ai që i kishte dhënë pajisjet përgjuese Veliut, por pretendon që regjistrimin e bisedës e ka bërë vetëm Veliu i cili, në të kundërt, deklaroi publikisht që nuk e dinte se kush e kishte bërë përgjimin
Në rrëfimin e tij, Olldashi pranon që ai nuk ka qenë prezent në bisedën mes Veliut dhe Agron Xhafajt, bisedë i cili pretendon se është bërë në një lokal përballë atij ku ishte ulur gazetari. Edhe në këtë rast Olldashi nuk shpjegon se si është e mundur që s'ka bërë as nga larg një fotografi të aftë të konfirmojë që realisht me cilin burimi i tij Arbert Veliu po takohej.
?Babalja? kishte thënë gjithashtu se ishte ai që ia kishte dorëzuar përgjimin PD-së, ndërkohë që Olldashi pohoi të kundërtën, pra se në fakt ishte ai vetë që ia kishte dorëzuar materialin partisë kryesore të opozitës.
Olldashi pohoi gjithashtu se këtë përgjim e kishte kryer në kuadër të një investigimi gazetaresk, por çuditërisht ai nuk e kishte publikuar investigimin në fjalë, edhe pse vetë punonte dhe drejton një portal informativ lajmesh, gjë që hedh disa dyshime se për kë e kishte kryer në të vërtetë gazetari investigimin.