Zhdukja e tregtarit, gjendet gjak ne makinen e Fation Fejzillarit. Dyshimet per shokun e tij

2018-05-18 1

Makina që shikoni në foto i përket Fation Fejzillarit, tregtarit të perdeve të zhdukur më 29 Prill në aksin Laç - Milot. Burime nga grupi hetimor thonë për tvklan.al se brenda automjetin tip "Volkswagen" janë gjetur gjurmë gjaku. Është pikërisht makina ngjyrë e bardhë me targa AA 569 DR, që përdorej edhe nga shoku i tij Aleksandër Fadili.

Ky automjet dyshohet se është larë dy herë mëngjesin e 30 Prillit, për të zhdukur njollat e gjakut që ndodheshin në tapicerinë e makinës. Pikërisht për këtë shkak dhe të tjera rrethana dyshuese, Policia e Kurbinit arrestoi të mërkurën Aleksandër Fadilin. Gjurmët e gjakut të gjetur në mjetin "Volkswagen" do të analizohen me ADN-në e së ëmës së Fation Fejzillarit, zonjës Fatime Fejzillarit.

Tvklan.al ka mësuar gjithashtu se në bagazhin e automjetit janë gjetur një palë gërshërë, të cilat 30-vjeçari Fejzillari i mbante në kroskot. Po kështu, një telefon celular që i përkiste Fation Fejzillarit është gjetur i thyer dhe i prishur brenda makinës. Ndërsa familjarët e 30-vjeçarit kanë pohuar për tvklan.al se këtë celular, Fatjoni e përdorte për Facebook dhe rrjete të tjera sociale.

Automjetin tip "Volkswagen", Fatjoni e kishte blerë me kredi pak ditë përpara se të nisej së bashku me Aleksandër Fadilin për të shitur perde dhe çarçafë në aksin Shkodër-Lezhë-Milot-Laç. Këtë fakt e konfirmon babai i Fationit në një intervistë ekskluzive që dha për gazetarin Spartak Koka në tvklan.al më 6 Maj.

"Para se të ikte, mori kredi bankare 5 milionë Lekë të vjetra. Më tha, baba do marr makinë, do marr dhe mall e do iki bashkë me Sandrin të punojmë, të shesim".

Pas zhdukjes së Fationit më 29 Prill, makina është mbajtur në përdorim nga shoku i tij Aleksandër Fadili. Me të njëjtin automjet, Aleksandri udhëtoi së bashku me prindërit e Fationit më 6 Maj për të dhënë intervistën për gazetarin Spartak Koka. Ende nuk ka asnjë gjurmë rreth vendndodhjes së 30-vjeçarit Fejzillari, por duhet theksuar se hetimet po zhvillohen me intensitet. Aleksandër Fadili është arrestuar si person i dyshuar për zhdukjen e shokut të tij.

Motivet janë të paqarta, ndërsa grupi hetimor dyshon se bëhet fjalë për arsye ekonomike. Në momentin kur Fationi është zhdukur, kishte me vete 2.6 milionë Lekë të vjetra, gjysma e të cilave i përkisnin Aleksandrit, sipas dëshmisë së këtij të fundit.