Hahn thirrje skeptikëve: Hapni negociatat per Shqiperine

2018-05-16 0

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn u bën thirrje anëtarëve skeptikë të Bashkimit Europian të mbështesin hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një intervistë për të përditshmen gjermane Stuttgarter Zeitung, Hahn kërkon që këtyre vendeve t'u jepet shtysë në procesin e integrimit.

"Skepticizmin e kuptoj dhe nuk them gjithashtu se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë gati për t'u anëtarësuar. Kryerja e reformave të nevojshme për këtë mund të arrihet gjatë procesit të anëtarësimit".

Për sa i përket mbështetjes së Gjermanisë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Hahn thotë se ka lobuar personalisht në parlamentin gjerman që ky vend të japë mbështetjen për negociatat në Qershor në Këshillit Europian. Megjithatë, Komisioneri paralajmëron se pa kapjen e të ashtuquajturve ?peshq të mëdhenj? negociatat do të ndërpriten.

"Për negociatat e anëtarësimit, ne i kushtojmë shumë rëndësi zbatimit të ligjeve, dërgimit me të vërtetë të rasteve të korrupsionit para drejtësisë dhe që peshqit e mëdhenj të mos kursehen. Pa përparime në këtë drejtim, negociatat mund t'i ndërpresim".

Hahn ripërsërit se perspektiva europiane mund të ruajë stabilitetin në rajonin me një histori të trazuar.