Shtyhet per procedure “Vetting-u” i Llalles

2018-05-16 0

Një pengesë proceduriale detyroi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të shtyjë seancën ku do të shqyrtohej ankimimi i bërë nga Komisioneri Publik për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, në mënyrë që ky i fundit t?i nënshtrohet Vetting-ut, pavarësisht se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë gjyqtar.

Shkak është bërë mosqenia në dijeni e Llallës për seancën në ngarkim të tij. Të paktën këtë pretendoi avokati mbrojtës i ish-numrit një të akuzës. Mbrojtësi Sokol Hazizaj tha se nuk kishte komunikuar me klientin e tij për këtë seancë.

Por duke qenë se ai ka një prokurë nga Adriatik Llalla dhe kishte marrë informacione nga mediat vendosi të paraqitej vetë në seancë. Në këto kushte Kolegji vendosi të shtyjë seancën për në datën 31 Maj dhe kjo kohë do shërbejë që Adriatik Llalla të vihet në dijeni për këtë proces dhe avokati të plotësojë prokurën e përfaqësimit.

Ndërprerjen e Vetting-ut për ish-Kryeprokurorin e mori Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ai hoqi dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kërkon që subjekti t'i nënshtrohet Vetting-ut.

Seanca në KPA për Llallën vjen në një kohë kur prokuroria ka nisur një hetim për Adriatik Llallën, i akuzuar për shpërdorim detyre, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Free Traffic Exchange