Saimir Tahiri ka shkuar këtë të martë para Gjykatës për Krimet e Rënda, për rivlerësimin e masës së sigurisë. Menjëherë pas kësaj, ish-Ministri i Brendshëm pritet të merret në pyetje.
I shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia, Tahiri mbërriti në gjykatë rreth orës 11:00, ndërkohë që gazetarët prisnin poshtë shtëpisë së tij. Ai evitoi daljen nga hyrja kryesore e pallatit ku banon dhe u shfaq tek Krimet e Rënda i shoqëruar nga efektivë të policisë.
Pala mbrojtëse ka bërë të ditur se do ta apelojë masën e arrestit të shtëpisë, e të njëjtën gjë ka paralajmëruar edhe prokuroria.
Të shtunën, Gjykata vendosi të japë masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-zyrtarin e lartë, megjithëse Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar burg pa afat.
Mbi Tahirin rëndojnë akuzat për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Vendimin për dhënien e masës së sigurisë arrest shtëpi, gjykata e bazoi në prova të reja të servirura nga organi i akuzës.
Prova të reja, sipas hetuesve, janë letër-porositë e mbërritura nga Greqia dhe kanë të bëjnë me dyshimet se ai është takuar me një nga vëllezërit Habilaj. Një fakt i ri sipas akuzës janë dhe dëshmitë e reja të marra këto kohë në Shqipëri dhe jashtë vendit./tvklan.al