Report TV - Dosja 'Habilaj', Gjykata e Krimeve të Rënda vendos 'arrest shtëpie' për Saimir Tahirin

2018-05-15 0

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi ka qenë i befasishëm dhe larg syrit të medias nga gjyqtarja Liljana Bako, e cila edhe në dhjetor 2017 i bllokoi pasaportën Tahirit dhe i ndaloi daljen jashtë vendit, vendim i cili u rrëzua nga Apeli. Ish-ministrin e Brendshëm akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës Shqipëri-Itali me Habilajt, shpërdorim detyre. Këto zhvillime vijnë rreth dy javë pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, Prokuroria ka kërkuar "arrest me burg", por Gjykata ka vendosur vetëm "arrest shtëpie". Kërkesa e Prokurorisë është dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda një ditë më parë pas mbërritjes së provave të reja nga Greqia dhe Italia. Sipas Prokurorisë, besohet se Tahiri ka takuar Artan Habilajn në një hotel në Greqi dhe për këtë pretendim janë kërkuar informacione nga autoritetet greke. Ndërsa nga Italia kanë mbërritur përgjimet e reja të Habilajve ku përmendet edhe ish-ministri.

Sipas masës së vendosur nga gjykata, ministrit i ndalohet të dalë nga banesa, ndërsa për çdo lëvizje duhet të njoftojë oficerin e Policisë Gjyqësore. Vendimi është dhënë në mungesë rreth orës 17:00 të kësaj pasditje dhe është ekzekutuar nga dy oficerë të Policisë Gjyqësore pak minuta më pas, të cilët mbërritën në banesën e Tahirit.

Brenda pesë ditëve lind e drejta e ankimimit si nga prokurori i çështjes, Gentjan Osmani, ashtu edhe avokati mbrojtës i Tahirit, Maks Haxhia. Javën e ardhshme priten zhvillime interesante lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, i cili nga ana tjetër ka paralajmëruar se s'do e pengojë askush të bëjë drejtësi.