PD: Xhafaj shkeli ligjin Antimafia per te mbrojtur te vellain

2018-05-15 1

Në vijim të akuzave për Ministrin e Brendshëm, demokratët thonë se falsifikimi i Kodit të Procedurës Penale nuk është e vetmja mburojë që Fatmir Xhafaj i ka dhënë vëllait të tij Agron Xhafaj, i dënuar për trafik droge në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg, me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit. Duke sjellë në vëmendje deklaratën e Ministrit Xhafaj, të bërë një vit më parë, gjatë prezantimit të operacionit ?Forca e Ligjit?, opozita i kërkoi Xhafajt arsyet e mos zbatimit të Ligjit Antimafia, subjekt i të cilit sipas saj, janë jo vetëm Agron Xhafaj, por edhe vetë Ministri i Brendshëm.

?Sipas Ligjit Antimafia, Neni 8, Policia e Shtetit, që është nën varësinë e Ministrit të Brendshëm, ka detyrimin që të veprojë me iniciativën e vet, për të verifikuar pasurinë e Agron Xhafajt. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka detyrimin të përgjigjet sot, nëse e ka përmbushur këtë detyrim ligjor. Përgjigja është jo; Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk e ka zbatuar Ligjin Antimafia. Kjo edhe për një arsye tjetër të fortë: Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas Ligjit Antimafia neni 3, vetë Fatmir Xhafaj është subjekt i këtij ligji.?

Heshtjes së Ministrit të Brendshëm sipas demokratëve i është bashkuar edhe Kryeprokurorja Arta Marku.

?Faktet dhe provat që tregojnë se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, janë përpara syve të çdo shqiptari. E vetmja që ka vendosur të mos i shohë është Arta Marku. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: ajo është vendosur aty nga Edi Rama, në shkelje të Kushtetutës dhe pa veting, pikërisht për të garantuar mbrojtjen e korrupsionit të qeverisë Rama.?

Një ditë më parë ish-Kryeministri Berisha u shpreh se Fatmir Xhafaj nuk ka rrugë tjetër veç dorëheqjes nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe përballja me ligjin. Sipas tij mbrojtja politike për Agron Xhafajn daton që në kohën kur Fatmir Xhafaj drejtonte Ministrinë e Drejtësisë në kabinetin ?Nano?.