Gjermania: Shqiperia, progres me Reformen ne Drejtesi dhe Vetting-un

2018-05-15 0

Gjermania ende nuk ka një vendim për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Konfirmimi vjen nga Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati. Ai vlerësoi arritjet në Reformën në Drejtësi dhe Vetting-un, por kërkoi më shumë angazhim deri në Qershor në luftën kundër krimit, korrupsionit e terrorizmit.

?Zhvillimet e vendit tuaj në të gjitha këto kontekste janë verifikuar tashmë nga Komisioni Europian, i cili në 17 Prill dha rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit tuaj. Qeveria federale është duke i verifikuar të gjitha këto arritje në koordinim të ngushtë me Bundestagun gjerman dhe në bashkëpunim me të, ne do të pozicionohemi në të ardhmen lidhur me çeljen e këtyre negociatave.?

Për Ministrin Bushati ky mesazh i qartë i përcjellë në Tiranë nga i dërguari i Kancelares Merkel dikton një proces aspak të lehtë në rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Por në këtë rrugëtim, Ministri gjerman sheh dy palë, ndaj një mesazh e pati edhe për opozitën.

?Pres prej qeverisë shqiptare të vijojë në mënyrë konsistente politikën e reformave. Gjithashtu pres edhe prej opozitës shqiptare që të mund të ndërmarrë në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësitë e veta për të kontribuar në të gjitha këto procese. Dje kam patur mundësinë të bisedoj me kryetarin e Partisë Demokratike zotin Basha. Ka qenë një bisedë mjaft e mirë. Sado që të ekzistojnë konflikte në politikat e brendshme, çka është shenjë e një sistemi demokratik të gjallë, gjithsesi dëshiroj të theksoj që në çështje të tilla, siç është integrimi europian do duhej të kalohej përtej këtyre konflikteve në mbërritjen e një konsensusi të përgjithshëm.?

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth u takua edhe me Kryeministrin Rama.