PD: Xhafaj ndryshoi ligjin per te mbrojtur vëllain

2018-05-15 0

Partia Demokratike ka bërë publike dokumentat që sipas saj e implikojnë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj në kohën kur drejtonte Komisionin e Ligjeve dhe Reformën në Drejtësi në falsifikim të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Synimi i vetëm i ndryshimit të miratuar si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi në Marsin e 2017, sipas tyre ishte të mbrojë të vëllain trafikant i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit të Italisë.

Selia blu pretendon se pikërisht ndryshimi i pikës f të nenit ku parashikohen rastet e mospranimeve të ekstradimeve, Fatmir Xhafaj i ka siguruar të vëllai lirinë e përjetshme nga drejtësia vendase dhe ajo italiane për rastin në fjalë.

Dokumentat e bëra publik demokratët pretendoje se janë dëshmia që Xhafaj me funksionet e tij publike ka ndërhyrë për të mbrojtur të vëllain trafikant.

Vetë ministri Xhafaj reagoi pas akuzave të bëra nga opozita demokrate dhe tha se selia blu po e baltoste pa argumenta dhe se historia personale e vëllait nuk implikonte as atë dhe as qeverinë ku ai është ministër i Brendshëm.