Kryeministri Edi Rama komentoi nga foltorja e Kuvendit akuzat e opozitës për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Rama tha se akuzat janë një avaz i vjetër i opozitës.
Ai tha se nëse këto sulme do qëndronin dhe do ishin të vërteta, të parët do kishin reaguar ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe ambasadorja e BE. Sipas kreut të qeverisë, qëndrimet e opozitës janë në vijim të sjelljes për të bllokuar çeljen e negociatave me BE-në.
Sapo asistuam në një garë të ndezur për lidershipin e PD në rrjetet sociale, ku kryetari i PD dhe lideri legjendar garuan secili në ekranin e mrrokllës së vet dixhitale se kush shan, shfryn dhe lëshon më shumë baltë nga goja. Për fat të keq u larguan pa pritur të dëgjojnë atë që u takon, qoftë për rastin në fjalë, qoftë edhe për atë çka fshihet, por fshihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie.
Dje MB foli dhe nuk tha asgjë të re, përsëriti çfarë ka thënë disa herë në harkun e më shumë se 15 vjetëve. Ndërkohë që pasqyrat mediatike e përcollën rizbulimin si një zbulim, fatkeqësisht, pa u thënë shikuesve dhe lexuesve se më parë jo njëherë, por disa herë në vetë ato pasqyra kjo çështje ka dalë dhe ridalë, kur është dashur të sulmohet direkt Fatmir Xhafa, apo qeveria ose grupi parlamentar i PS në momente ngacmuese për këta që sot një avaz të vjetër ua shesin shqiptarëve si një zbulim të ri.
Rasti më i fund kur kjo çështje është shfaqur në mediat pranë SHQUP ka qenë në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë, fakti është i njohur botërisht, por jo vetëm për shqiptarët që e kanë pasur mendjen në atë moment kur ky fakt është dashur, por i njohur edhe nga ndërkombëtarët.