Report TV - Pasuria, Vettingu 'djeg' gjyqtarin e tretë të Kushtetueses Fatmir Hoxha

2018-05-15 0

Vettingu ka vendosur të shkarkojë gjyqtarin e tretë të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxhën. Gjyqtari Hoxha nuk justifikonte pasurinë e tij, të cilën deklaroi se e ka vënë nga dasmat.

Në seancën dëgjimore të 7 majit, KPK arriti në përfundimin se gjyqtari Hoxha nuk justifkonte pasurinë prej 17 milionë lekësh, ndërsa nga hetimet rezultoi se gjyqtari i Kushtetueses ka një apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro, ndërsa ka marrë kredi si i pastrehë.

Sa i përket figurës, KPK arriti në përfundimin se ndaj gjyqtarit Fatmir Hoxha janë depozituar 3 denoncime nga qytetarët. Në seancën dëgjimore, vetë gjyqtari nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati Julian Mërtiri, i cili deklaroi se Fatmir Hoxha e ka blerë apartamentin me kredi dhe një borxh nga kunati, ndërsa një pjesë të parave, që sipas KPK nuk justifikohen, i ka siguruar nga dy dasmat.

Avokati deklaroi se gjyqtarit 275 mijë lekë të reja ia kanë hedhur në dasmë, dhe kjo mund të vërtetohej, sipas tij, me kasetën e dasmës së vitit 2003, të cilat i dorëzoi, por nuk u pranuan si provë nga trupa gjykuese.