Nuk do të ketë prehje të përbashkët mes fshatarëve të Manzës në Durrës dhe muxhahedinëve iranianë që u vendosën në këtë zonë nga qeveria shqiptare. Pas protestave të komunitetit lokal, Bashkia e Durrësit ka caktuar një vendvarrim të posaçëm për iranianët dhe gruaja 57-vjeçare që vdiq pak ditë më parë, do të zhvarroset për t'u larguar nga varrezat e fshatit.
Këto janë varrezat e fshatit Manzë dhe varri më i ri në këtë parcelë i përket një shtetaseje iraniane, e cila humbi jetën para dy ditësh, pas një beteje të gjatë me kancerin. Varrosja e politikanes Marzieh Rezaei, pjesë e organizatës MEK, ka ngjallur irritimin e banorëve të zonës. Pasi protestuan, duke kundërshtuar varrosjen e 57-vjeçares në varrezën e fshatit, ata kërkojnë tashmë zhvarrosjen trupit të saj.
Me arsyetimin se hapësira e varrezave të zonës është shumë e vogël edhe për vetë ata, banorët shprehen se nuk ka vend edhe për të huajt që kanë ?zbarkuar? në Manzë, duke lënë vetëm dy mundësi zgjedhjeje.
?Ose do ikim ne nga ky vend, ose do të vijnë të rrinë ata, nuk ka rrugë tjetër" , thotë një banor.
Pas funeralit të një dite në parë, të afërmit e iranianes vazhdojnë ende të kryejnë ritet e tyre në respekt të së ndjerës.
Për të shmangur të tjera konflikte mes komunitetit vendas dhe muxhahedinëve iranianë, që janë zhvendosur nga kampet e Vorës në një vendbanim të përhershëm në Manzë të Durrësit, pushteti lokal ka marrë vendimin që pranë vendbanimit të ngrihet edhe varreza e iranianëve.
Pas dakordësisë me komunitetin e muxhahedinëve, administratori i njësisë Manzë, Muharrem Sula nuk përcakton një afat kohor se kur do të ndërtohet kjo parcelë, por konfirmon se edhe trupi i 57-vjeçares Marzieh Rezaei pritet të zhvarroset së shpejti për të gjetur përfundimisht paqe pranë kampit të MEK.
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Megi Fagu