Report TV - Ekskluzive/ Ja grupi në KLD që mbron gjyqtarët abuzues

2018-05-15 0

Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka një grup anëtarësh, të cilët bashkojnë votat sistematikisht, për të mbrojtur gjyqtarët, për të cilët Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e tyre, për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës, për cenimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe diskreditimin e figurës së gjyqtarit.

Justifikimet, argumentet, referencat dhe alibitë e këtyre anëtarëve të KLD janë të ndryshme, por ato kanë një qëllim: Mbrojtjen me çdo kusht të gjyqtarëve. Nëse sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në çdo pesë gjyqtarë katër nuk e kalojnë Vetingun, KLD, në mbledhjen e ditës së hënë, nga katër gjyqtarë nuk shkaktoi asnjë. Alibia e shumicës në KLD është se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.

Por, KLD ka votuar pro masave disiplinore më të buta ndaj gjyqtarëve, si paralajmërim për shkarkim nga detyra, por jo shkarkim nga detyra. Nga ana tjetër, KLD i ka mbrojtur gjyqtarët e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë edhe para se të miratohej reforma në drejtësi, kur ky institucion kishte për detyrë ndëshkimin e gjyqtarëve abuzues, fakt ky që nxjerrë zbuluar KLD si një organ që mbron drejtësinë e kalbur deri në ditën e fundit.